Arkiva e lajmeve
                   

TEKLAS 10.7 MILION EURO PËR HAPJEN E FABRIKËS NË ISH GEOX

14. mars 2022.

Bujanoc – Beograd – Kompania turke “Teklas” do të marrë 10.7 milionë euro ndihmë shtetërore për hapjen e fabrikës prodhuese në Vranjë në vendin e ish Geox.

Ministria e Ekonomisë ka dhënë subvencione, kështu që kompania turke do të marrë ndihmë nga buxheti i të gjithë qytetarëve deri në vitin 2028. Kësti i parë është 6.5 milionë euro dhe do të paguhet këtë vit, ndërsa në vitin e fundit 2028 kap shumën e 532.800 euro.

Sipas projektkontratës ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe kompanisë “Teklas Automotive”, deri në fund të vitit 2028 duhet të punësohen së paku 500 punëtorë të rinj në kohë të pacaktuar dhe çdo punonjësi të ri duhet t’i paguhet rregullisht një pagë bazë që është së paku 20 për qind më e lartë se paga minimale.

Teklas në planin e biznesit deklaroi se do të investojë 15.5 milionë euro në pajisje të reja, ndërsa 6.5 milionë euro do të shpenzojë për blerjen e tokës dhe objekteve.

Kompania turke do të zhvendoset në objektet e Geox, e cila mbylli fabrikën e këpucëve në Vranjë verën e kaluar, kur rreth 1000 punëtorë humbën punën.

Në fabrikën në Vlladiçin Han, “Teklas” punëson 1093 punëtorë, nga të cilët 675 janë të punësuar me afat të pacaktuar dhe 418 me afat të caktuar.

Fabrika është hapur në vitin 2015, ndërsa kompania është e angazhuar në prodhimin e pjesëve dhe pajisjeve të tjera për automjetet motorik.

Burimi: Bujanovacke, Trupi Koordinues