Arkiva e lajmeve
                   

THIRRJE PUBLIKE PËR SUBJEKTET EKONOMIKE QË MERREN ME REHABILITIMIN ENERGJETIKË, KONKURSI ZGJATË DERI MË 9 QERSHOR

25. maj 2022.

Bujanoc - Beograd - Komuna e Bujanocit fton subjektet ekonomike që të aplikojnë për punë në zbatimin e masave për rehabilitim energjetik të objekteve banesore në territorin e komunës, ndërsa konkursi për aplikime është i hapur deri më 9 qershor.

Të drejtën për të marrë pjesë në Ftesën publike e kanë kompanitë që merren me prodhimin, shërbimet dhe punimet për rehabilitimin energjetik të objekteve të banimit.Për Programin për përmirësimin e efiçiencës energjetike janë përcaktuar dy modele . I pari parashikon ndërrimin e dyerve dhe dritareve, vendosjen e izolimit, blerjen e kaldajave dhe modeli i dytë vendosjen e paneleve diellore dhe inverterëve për të cilët ende nuk është shpallur konkursi.

Siç tha Fazila Azemoviq, kryeshefe e Drejtoratit për investime dhe zhvillim, është e nevojshme që kompania të jetë e regjistruar në Agjencinë e regjistrave ekonomikë (ARE) për atë lloj aktiviteti dhe pune dhe të mos jetë në likuidim apo falimentim.

 “Për materialin dhe produktin e instaluar, kompanitë duhet të kenë dokumentacionin dhe certifikatën e nevojshme kështu që çdo kaldajë duhet të ketë një certifikatë nga furnizuesi, ose kompanitë që prodhojnë mobilie nga materiali PVC duhet të kenë një certifikatë për produktet e tyre dyer e dritare” sqaron Azemoviq.

Ajo shtoi se pas aplikimit të subjekteve ekonomike për konkurs, brenda 15 ditëve do të merret vendim dhe do të publikohet lista paraprake e kompanive që plotësojnë kushtet e konkursit, më pas do të zgjidhen ankesat e eventuale dhe më pas Këshilli komunal do të vendosë për listën përfundimtare.

“Vetëm pas kësaj procedure mund të shpallim konkurs për qytetarët, me ç’rast pjesë përbërëse e tij do të jetë lista e kompanive të cilat do të mund të angazhohen” thotë Azemoviq.

Subjektet e interesuara ekonomike, mund t’i shkarkojnë në ueb faqen e Komunës së Bujanocit.

 “Në të njëjtin dokument, njëri pas tjetrit, janë edhe formulari për aplikim dhe deklaratat, ndërkaq janë dhënë edhe modelet e vlerësimit. Kriteret e përzgjedhjes dhe vlerësimit janë paraqitur qartë brenda konkursit” shtoi kryeshefja.

Azemoviq  tha se publikimi i çdo dokumenti varet nga marrja e pëlqimit nga Ministria e minierave dhe energjetikës, se konkursi përfshin 7 masa në katër fusha të efiçiencës energjetike.

 “Nga Ministria kemi marrë miratimin si për rregulloren ashtu edhe për konkursin. Tani për tani nuk kemi vërejtje dhe do të mundohemi të jemi efikas sepse ka shumë masa të ndryshme dhe do të aplikojnë një numër i madh i kompanive, tha Azemoviq.

Dokumentacioni i konkursit dhe formularët e aplikimit dorëzohen në zarf të mbyllur me shënimin “Aplikimi për thirrje publike për pjesëmarrje të subjekteve ekonomike në zbatimin e masave për rehabilitim energjetik për objektet banesore në komunën e Bujanocit – mos e hap”, me adresën e plotë të dërguesit, në anën e pasme të zarfit.

Aplikimet mund të dorëzohen me postë në adresën e Komunës së Bujanocit (Karagjorgje Petroviq 115) ose personalisht në zyrën që gjendet në ndërtesën e Komunës.

Kujtojmë se Komuna për realizimin e këtij programi ka marrë 9.3 milionë dinarë nga Ministria e minierave dhe energjetikës, ndërsa 4 milionë nga burimet e veta.

Burimi: Bujanovaçke dhe Trupi Koordinues