Arkiva e lajmeve
                   

KRYETARI I TRUPIT KOORDINUES VIZITON PËR HERË TË PARË KOMUNAT NË JUG TË SËRBISË

4. dhjetor 2012.

Kryetari i Trupit Koordinues i Qeverisë së Republikës së Sërbisë për komunat Preshevë, Bujanoc, dhe Medvegjë prof.dr. Zoran Stankoviq, dje vizitoi Preshevën dhe Bujanocin dhe u takua me kryetarët e komunave Ragmi Mustafën dhe Nagip Arifin, me shefat e grupeve të këshilltarëve dhe me përfaqësuesit e partive politike. Pas këtyre takimeve, në Bujanoc u nënshkruan kontratat me përfaqësuesit e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, të cilëve në konkursin e Shërbimit të Trupit Koordinues iu janë ndarë subvencione (mjete të pakthyeshme) në vlerë prej 40 milionë dinarësh. Shtatë ndërmarrje nga Bujanoci, pesë nga Presheva dhe tri nga Medvegja me këto mjete do të duhet të avancojnë biznesin e tyre dhe të hapin vende të reja pune.

Ndërmarrësve, kontratat ia kanë dorëzuar kryetari i Trupit Koordinues prof.dr. Zoran Stankoviq, kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, kryetari i komunës së Medvegjës Sllobodan Drashkoviq dhe drejtoresha e USAID-it Susan Fric.

„ Kjo shumë prej 40 milionë dinarësh, të cilën shteti e ka ndarë për hapjen e vendeve të reja të punës, është shumë modeste për këtë rajon të varfër. Jam i sigurtë që vitin e ardhshëm do të sigurojmë subvencione më të mëdha për ata të cilët kanë ambicie për të realizuar më shumë“, ka thënë Stankoviq.

Kryetarët e komunave dhe ndërmarrësit nga Jugu falenderuan për mjetet e ndara duke theksuar që shteti duhet të gjejë mundësi që në këso dhe mënyra të ngjashme t'i ndihmojë atyre që kanë vizion të një jetë më të mirë.

Për programin, i cili ka qëllim t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik në Jugun e Sërbisë, Shërbimi i Trupit Koordinues për vitin e ardhshëm ka caktuar 60 milionë dinarë, që do të thotë 20 milionë më shumë se këtë vit.

Sot prof.dr. Zoran Stankoviq do të vizitojë Medvegjën, ku do të bisedojë me kryetarin e komunës Sllobodan Drashkoviqin, me zëvendës kryetarin e komunës Florim Sahitin dhe me kryetaren e Kuvendit komunal Natasha Filiqin.