Arkiva e lajmeve
                   

BREZNICA ME “AUTOSTRADË”

4. tetor 2013.

Ka filluar të asfaltohet pjesa e dytë  e rrugës në malsi   Bujanocit, banorët shprehen të kënaqur me punimet në këtë rrugë e cila në të ardhmen do t’i lidhë këta banorë me qendrën në Bujanoc.

Breznica e gëzuar për rrugën e re e cila edhe pse vetëm me dy korsi, për ta është si një autostradë.

“Me asfaltimin e kësaj rrugë po bëhet bashkim i fshatrave të Malësisë dhe komunës së Bujanocit” u shpreh banori nga fshati Breznicë, Tahir Bilalli, i cili njëherit për këtë projekt kaq të madh falënderoi kryetarin e kësaj komune.

Drejtori i Drejtoratit për Ndërtim Agim Haliti gjatë prononcimit të tij theksoi se ëndrra e banorëve sot po bëhet realitet.

“Ky është momenti i një gëzimi të madh të qytetarëve të komunës së Bujanocit e në veçanti të qytetarëve të fshatrave që jetojnë në Malësinë e Bujanocit”, tha Haliti, duke shtuar se me realizimin e këtij projekti po përmbushet një kusht elementar për banorët.

Drejtuesi i kompanisë “Saba Bellça” Valon Etemi i cili sot me punëtorët dhe makinerinë e tij po zhvillon punimet në këtë aks rrugor u shpreh se punimet do të përfundojnë brenda 5 deri 6 ditë edhe pse moti i kishte shkaktuar vonesa në përfundimin e këtij projekti.

Pas përfundimit të asfaltimit do të bëhet edhe vendosja e bankinave në anën e rrugës për të mbrojtur makinat nga rënia në humnerë.

Drejtuesit e automjeteve që frekuentojnë këtë rrugë luten që të shfrytëzojnë rrugë alternative deri në përfundimin e punimeve.

Burimi: Titulli